Ndërsa kërkoni mënyra për të përmirësuar rankimin e webfaqes tuaj në Google, ndoshta keni lexuar për SEO, fjalë kyçe (ang. keywords), etj. Nëse ndiheni të humbur, mos u shqetësoni. Në këtë artikull, do të gjeni gjithçka që duhet të dini për të filluar përmirësimin e SEO-s tuaj dhe zhvillimin e një strategjie efektive të marketingut dixhital.
Hulumtimi i fjalëve kyçe: çfarë është
Kërkimi i fjalëve kyçe ju ndihmon të identifikoni termat më të zakonshëm të kërkimit dhe të shihni se sa të njohur janë ato për audiencën tuaj. Duke hulumtuar fjalë kyçe që marrin një vëllim të madh kërkimesh në muaj, ju mund të identifikoni dhe renditni sipas temës përmbajtjen që ju intereson. Më pas, bazuar në këto tema, mund të përcaktoni fjalë kyçe specifike në të cilat mund të fokusoheni.
Si të bëni kërkime për fjalë kyçe?
Pavarësisht nëse bëhet fjalë për SEO ose reklamim online, ju duhet të gjeni termat ideal të kërkimit për ju, në mënyrë që të krijoni dhe ekzekutoni një strategji dinamike të fjalëve kyçe. Këto janë 3 hapa të thjeshtë për t’u ndjekur:
Hapi 1: Krijoni një listë temash që ndërlidhen me biznesin tuaj
Për të filluar këtë proces, mendoni për temat për të cilat dëshironi që biznesi juaj të shfaqet në Google dhe grupojini ato sipas subjektit. Krijoni rreth 5-10 grupe temash që lidhen me biznesin tuaj dhe më pas përdorni këto grupe temash për të gjetur fjalë kyçe specifike.
Nëse jeni një bloger, këto mund të jenë temat për të cilat ndoshta shkruani më shumë. Apo ndoshta janë temat që shfaqen më shumë në bisedat që bëni me lexuesit tuaj. Vendoseni veten në vendin e audiencës suaj – cilat tema do të kërkonte audienca juaj dhe për cilën temë do të dëshironit të shfaqej biznesi juaj? Nëse do të ishit një kompani si Hostinkos, e cila, ndër të tjera, ofron hostimin e faqeve të internetit dhe emrat e domenit, mund të dëshironi të merrni në konsideratë grupe temash si:
- regjistrimi i domenit
- web hosting
- hostimi i webfaqes
- dhe të ngjashme.
Hapi 2: Bëni disa kërkime
Pasi të keni krijuar një listë temash, është koha për kërkime.
Ka disa mjete për t’u përdorur, por ne do të përqendrohemi në më të popullarizuarin, Google keyword planner që është pjesë e Google Ads. Është një mjet falas i zhvilluar nga Google, që ju ndihmon të krijoni fushatat tuaja reklamuese, të gjeni fjalët kyçe të duhura dhe të vlerësoni volumin e tyre.
Për sa kohë që keni krijuar një llogari në Google Ads dhe keni hyrë, klikoni ikonën e mjetit në këndin e sipërm djathtas të shiritit gri. Më pas, në seksionin Dizajn, zgjedhni Keyword planner.
Tani, ka dy zgjedhje:
- fjalë kyçe të reja
- matjet dhe parashikimet e fjalëve kyçe
Zgjedhni “Find new keywords”. Më pas, futni temat që keni mbledhur, një nga një dhe ju shfaqet një listë me fjalë kyçe përkatëse dhe të dhëna të ndryshme. Kushtojini vëmendje sa vijon:
- fjalë kyçe e saktë (ang. accurate keyword)
- vëllimi mesatar mujor i saj (ang. average monthly volume)
- se si kërkimet ndryshojnë me kalimin e kohës (sidomos kushtojini vëmendje sezonalitetit, nëse ka rëndësi për biznesin tuaj)
- indeksi për konkurrencën që ka çdo fjalë kyçe
Ju duhet të regjistroni të gjithë këtë informacion dhe ta konsideroni atë për strategjinë tuaj të marketingut.
Hapi 3: Gruponi fjalët kyçe përkatëse
Grupimi i fjalëve kyçe përkatëse është hapi i fundit në procesin e kërkimit të fjalëve kyçe. Ky hap kërkon shumë vëmendje. Dy fjalë kyçe, të tilla si “Kafe” dhe “Bli kafe”, mund të duket se kanë të njëjtin qëllim dhe ju mund të mendoni se ato duhet të grupohen. Sidoqoftë, qëllimi i kërkimit për këto dy fjalë kyçe është i ndryshëm. Për fjalën kyçe “Kafe”, përdoruesi kërkon informacion për kafenë, ndërsa për fjalën kyçe “Bli kafe”, përdoruesi kërkon të blejë kafe. Prandaj, nuk duhet të synoni të dyja fjalët kyçe në një faqe dhe nuk duhet t’i gruponi ato.
Mënyra më e mirë për të gjetur qëllimin e kërkimit pas çdo fjale kyçe është duke kërkuar në Google për atë fjalë kyçe. Rezultatet e shfaqura zbulojnë atë që Google ka përcaktuar që përdoruesit kërkojnë si përmbajtje duke përdorur këtë fjalë kyçe. Për shembull, nëse kërkoni në google fjalën “kafe”, do të gjeni një faqe Wikipedia për kafenë, një artikull mbi përfitimet shëndetësore të kafesë dhe ndoshta një faqe për historinë e kafesë. Duke parë këtë, mund të vëreni se përdoruesit duket se po kërkojnë informacion të përgjithshëm. Por nëse kërkoni në google “blej kafe”, do të gjeni disa dyqane elektronike që shesin kafe. Në këtë rast, ju mund të kuptoni se përdoruesit duan të blejnë kafe. Ky shembull mund të jetë i thjeshtë, por kjo metodë funksionon fjalë për fjalë për çdo biznes dhe çdo fjalë kyçe.
Pasi të keni grupuar fjalët tuaja kyçe bazuar në qëllimin e kërkimit, kërkimi juaj i fjalëve kyçe ka përfunduar! Tani jeni gati t’i përdorni këto të dhëna ose për optimizimin e SEO, ose për përpjekjet tuaja të paguara të marketingut dixhital, ose të dyja!